FIA mund ti heq fitoren e sotme në Hokenhajm, Hamiltonit!

Është vënë në diskutim fitorja e sotme e Luis Hamilton në pistën e Hokenhajm, e vlefshme për Çmimin e Madh të Gjermanisë.

Ka qenë vetë FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit), ajo e cila saktë në orën 18:01, ka shpërndarë një dokument në bazë të së cilit piloti anglez dhe skuderia Mercedes do të merret në pyetje për shkelje të rregullores dhe e gjithë sjellja e tyre do të hetohet.

Më saktësisht bëhet fjalë për episodin e ndodhur në fund të garës, kur Hamilton i ishte drejtuar korsisë së bokseve, por ndryshoi mendje në çastet e fundit dhe qëndrojë në pistë.

Në ato momente po zhvillohej xhiroja e 53-të kur në pistë u fut makina e sigurisë dhe Hamilton po shkonte në bokse për të ndërruar gomat, por pas udhëzimit të skuderisë në radio, ai e preu timonin papritmas, shkeli në bar dhe vazhdoi në pistë.

Kjo manovër, vendimtare për fitimin e garës nga kampioni në fuqi, po hetohet nga komisarët e pistës.

Në rast dënimi, më i vogli i mundshëm është 5 sekonda, që don të thotë se Hamilton do të humbasë vendin e parë në dëm të shokut të skuderisë Valeri Botas, që e mbylli garën me 4.535 sekonda vonesë.

Kimi Raikonen doli i treti me 6.732 sekonda shkëputje, ndërsa 7.654 sekonda ishte avantazhi i Hamilton ndaj Verstapen të vendit të katërt.

Në vendin e pestë me një ngecje prej plotë 26.609 sekonda u ndal Niko Halkenberg, që njëherit mbylli TOP5-shin e pilotëve që fituan pikë dyshifrore.

Në orët e ardhshme do të mësohet vendimi i FIA-s, që lë të nënkuptojmë se Çmimi i Madh i Gjermanisë ende nuk është mbyllur.

 

Leave a Reply