Mbrojtësi shqiptarë, Mërgim Mavraj edhe zyrtarisht është ndarë me Hamburgun. “Kisha momente të mira këtu, kam dhënë shumë mund, mirëpo është koha për tu ndarë” – kishte shkruar 31-vjeçari në profilin e tij në “Instagram”.
Sipas informacioneve nga Gjermania, Mavraj ka përfituar një shumë prej 300 mijë eurosh për këtë ndërprerje të kontratës. Më shumë një hakmarrje e vogël kjo e futbollistit për trajtimin që i ishte bërë gjatë periudhës së kaluar, sesa dëshira konkrete për të fituar nga largimi i tij.
Me të mësuar se është i lirë interes për shërbimet e reprezentuesit shqiptarë tashmë kanë shfaqur Deportivo Lakorunja dhe Bresha. Mavraj gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Këllnin, Bohumin dhe Darmshtadin, ndërsa me Kombëtaren e Shqipërisë ka regjistruar 40 ndeshje dhe 3 gola.