Shkëndija gjatë ditës së djeshme ka pësuar një ndër disfatat më të rënda në arenën ndërkombëtare, ndërsa kjo përveç që ka brengosur tifozët e shumtë të kësaj skuadre, ka brengosur edhe vetë trajnerin Qatip Osmani, i cili pranoi se kishte bërë gabim në përzgjedhjen e formacionit, kur kishet vendosur që nga minuta e parë të pushoj futbollistin kryesor, Besart Ibraimi.
“Edhe pse kemi bisedu gjatë javës për rezultatin e ndeshjes së parë në Shkup, mendoj se ndikoi ai rezultat. Pikërisht i njëjti më jepte mundësi që të ndryshojë pak formacionin që në fushë u pa se kisha bërë gabim. Megjithatë për Shkëndijën me rëndësi është që kalon në raundin tjetër në Ligën e Kampionëve. Besoj se ky është një mësim i mirë për ne. Që në fillim u pa se ne nuk e kishim atë frymën e duhur në lojë, nuk kishim agresivitet që rezultoi edhe me humbjen e thellë na dhems sigurisht të gjithëve, mirëpo do të mundohemi që të mësojmë nga gabimet dhe mos të përsëritet kjo” – tha pas përfundimit të ndeshjes, Qatip Osmani, i cili kishte mbetur i brengosur edhe me lëndimin e Marjan Radeskit.
“Sigurisht se përveç humbjes, brengos edhe lëndimi i Radeskit, por ndonjëherë në futboll ndodhin këto gjëra dhe thjesht nuk mund t’ju ikim këtyre lëndimeve. Por prap e përsëris, që një vjet sa jam te Shkëndija, është kjo loja më e dobët e Shkëndijës” – përfundoi Osmani.
Shkëndija ndaj The Nju Seints në transfertë pësoi disfatë 0:4, mirëpo vetëm falë fitores 5:0 në ndeshjen e parë në Shkup, skuadra tetovare shkruajti historinë duke kaluar në raundin e dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Europian.