Ballinat e shtypit francez dhe atij kroat, dy kombëtareve finaliste të Botërorit “Rusi 2018”, janë mbushur me fotografi dhe tituj kushtuar ndeshje finale që u zhvillua të dielën në stadiumin “Luzhniki” të Moskës mes këtyre dy shteteve.
Franca i pati titujt më të hareshëm, falë fitores 4:2 të ekipit të saj, që e arriti yllin e dytë të Kupës së Botës pas 20 vjetësh.
Në anën tjetër, kroatët shprehën krenari dhe mirënjohje për ekipin e tyre që për herë të parë u kualifikua në finale të Botërorit.
“Franca e fiton Kupën e Botës: 20 vjet më pas, Të Kaltrit prapë në kulm të botës”, është titulli që ia kë vënë gazeta prestigjioze “Le Monde”, lajmit për triumfin e “Gjelave”.
“Një yll i dytë përjetësisht: Të Kaltrit e ekipit francez, fitues 4:2 ndaj Kroacisë në finale, janë kampionë të botës”, ka shkruar “France Football”.
“Francë-Kroaci 4:2. Heroina kroate bie në finale, francezët kampionë të botës”, ka shkruar mediumi kroat, “index.hr”.