Kampionati Botëror i Rusisë që sot dha edhe kampionin e ri, do të kujtohet gjatë kohë si ai që nuk ka pasur thuajse asnjë lloj incidenti brenda apo jashtë fushës së lojës sa u përket tifozëve… me përjashtim të ndeshjes finale ku përballë njëra tjetrës dolën Franca dhe Kroacia.
Pikërisht në këtë ndeshje ndodhi edhe incidenti i parë, ku katër persona provuan pushtimin e fushës.
Katër personat e ndryshëm të veshur si muzikantë hynë me vrap në fushë duke bërë që ndeshja të ndërpritet në ato momente.
Që të katër personat ishin pjesë e grupit “Pussy Riot” që kanë bërë shpesh protesta kundër diktaturës në Rusi.
Ky grup është shumë më shumë i njohur për protestën dhe aktivitetet politike sesa për muzikën që bëjnë. Anëtarët e këtij grupi janë kundërshtare të zëshëm të presidentit, Vladimir Putin, ndërsa deri më tani disa herë kanë qenë edhe të arrestuar, duke u bërë temë edhe në mediat dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.