Reali i Madridit po përgatit një super ofertë në vlerë prej 150 milion sterlina për yllin belg, Eden Azar, pohon “Daily Mail”.
Pasi u ndanë me Kristiano Ronaldon, drejtuesit madrilen kanë piketuar pikërisht super yllin e Çelzit si zëvendësues të portugezit, i cili më herët gjatë javës edhe zyrtarisht iu bashkua Juventusit për një shumë prej 100+12 milion euro.
Marrëveshja e kapitenit të Belgjikës me Çelzin skadon gjatë qershorit të vitit 2020, ndërsa në këtë drejtim nuk ka indikacione se mesfushori ofenziv është pranë një kontrate të re me “blutë” nga Londra.
27-vjeçari Azar fillimisht dëshiron nga Çelzi që të tregojë ambicie, duke transferuar në rradhët e saj emra të mëdhenj, para se të nënshkruaj një kontratë të re.
Azar realizoi dy gola me Belgjikën në Botërorin e Rusisë, ndërsa pa dyshim se ishte një lider i vërtetë i skuadrës së tij. Belgjika arriti deri në gjysmëfinale të Botërorit, mirëpo u mund nga Franca, ashtu që të shtunën në Shën Petersburg Azar dhe shokët do të luajnë me Anglinë për vendin e tretë.