Mërgim Mavraj është kthyer në personazhin e ditës së Gjermani, pasi një foto që ka bërë dhe ka hedhur në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi si një tallje epike e tij me Hamburgun që po e mban peng.
Futbollisti është dërguar te ekipi U21 derisa të gjejë një sistemim të ri dhe sigurisht që nuk stërvitet apo merr pjesë në fazën përgatitore me skuadrën e parë të klubit gjerman. Por lojtari ka gjetur një mënyrë mjaft të veçantë për një “hakmarrje të vogël”.
Sot në rrjetet sociale ai ka postuar një foto të tijën me fanellën e re të Hamburgut. “Gëzuar vitin e ri 2018-2019. Më pëlqen kjo fanellë “, shkruante mbrojtësi në foton që dukej si ato zyrtare që bën klubi në fillimin e çdo sezoni.
Tifozët fillimisht kishin pasiguri, pasi menduan se Mavraj do të kthehej te ekipi i parë, por më pas mësuan se kjo ishte një tallje e mbrojtësit me drejtuesit e klubit.
Në fakt, ai ka qenë me pushime kur të tjerët kanë bërë fotot zyrtare dhe për më tepër, kur filloi stërvitjen, askush nuk e kishte ftuar të bënte një foto të tillë. Ndaj mbrojtësi ka gjetur vetë një nga fanellat e reja dhe ka bërë një foto për qejfin e tij, duke e hedhur në rrjetet sociale për t’u tallur me Hamburgun.
Ngjarja ka bërë xhiron e rrjeteve sociale me shpejtësi pasi kjo është cilësuar si një ndër talljet më origjinale që i kishin bërë klubit të rënë nga kategoria në fundin e sezonit të kaluar. (vipsport.al)