Pas ndeshjes së parë të raundit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve Europian ndaj The Nju Seints, “kuqezinjtë ende janë nën emocionet e triumfit bindës ndaj kampionit të Uellsit.
Fitorja e 10-të europiane ishte në fakt triumfi i parë në një ndeshje të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa realizimi i Izair Eminit në minutën e 14-të do të mbahet mend si goli i parë i Shkëndijës në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Mesfushori me tipare sulmuese ishte ndër më të mirët në terren bashkë me autorin e katër golave Besart Ibraimin, ndërsa përveç golit, Izo kishte edhe dy asiste që u realizuan nga Ibra.
Emini në një intervistë për kanalin e klubit ka folur për takimin e mbrëmshëm, ndjenjën për të qenë golashënuesi i parë i klubit në LK, pritjet për ndeshjen e kthimit në Uells dhe shanset e kuqezinjëve në raundin e dytë. (Foto: gol.mk)