Rabotniçki gjatë ditës së sotme në Shkup nis aventurën e re europiane, ku edhe njëherë tjetër do të prezantojë Maqedoninë në garat europiane. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit, “romantikët” do të bëjnë gara në ndeshjet eliminatore të Liga Europa, ndërsa trajneri Jovanovski tashmë ka bërë zyrtarë listën e futbollistëve me të cilët do të kërkojë të bëjë më të mirën.
Jovanovski ka paraqitur plotë 25 futbollistë, në mesin e të cilëve edhe 18-vjeçarin Lavdim Fazliun. Ky i fundit edhe vitin e kaluar grumbullohej në disa ndeshje nga ana e trajnerit Goran Stankovski, ndërsa gjithashtu ishte pjesë e përgatitjeve të “romantikëve” në Slloveni, duke zhvilluar disa ndeshje miqësore.
Përveç tij pjesë e Rabotniçkit në këto gara do të jetë edhe mbrojtësi kumanovar, Nehar Sadiki, si dhe të gjitha përforcimet e bëra në këtë afat kalimtarë të verës.
Rabotniçki ndeshjen e saj të parë në kuadër të Liga Europa kundër hungarezëve të Honvedit do ta zhvillojë gjatë ditës së sotme në Shkup me fillim në ora 17:30.