Real Madrid edhe zyrtarisht ka shitur futbollistin e saj më të mirë, Kristiano Ronaldo, edhe atë me kërkesë të portugezit. Klubi i tij i ri, ashtu edhe siç paralajmërohej do të jetë Juventusi. Pikërisht kampionët e Italisë kishin dërguar ofertën e vetme, e cila ishte pranuar nga drejtuesit “madrilen”.
Në kumtesën e “mbretërve” nuk janë precizuar detaje, mirëpo spekullohet se “Klubi Mbretëror” do të përfitojë 105 milion euro. Klubi nga kryeqendra spanjolle iu falënderuar portugezit për vitet e paharruara dhe 16 titujt e fituar në kohën deri sa ai ishte pjesë e tyre.
Me fjalët “Real Madridi çdoherë do të jetë shtëpia yte”, kampionja e Europës përcolli futbollistin e saj më të mirë dhe 5 herë fituesin e “Topit të Artë”.
Comunicado Oficial: Cristiano Ronaldo.
👉 https://t.co/nJiousygtF#RealMadrid pic.twitter.com/JwQqrrk0Wc
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) July 10, 2018
Edhe përkundër insistimit të Florentino Perez, që Ronaldo largimin e tij nga Reali ta bëjë përmes një konference për shtyp dhe të njoftonte tifozët se vetë ai dëshironte këtë largim dhe se klubi e dëshironte ende atë në skuadër, një gjë të tillë portugezi nuk bëri.
Ronaldo me Juventusin do të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare, kontratë kjo që shumë shpejtë do të bëhet zyrtare, ndërsa kuptohet se edhe te Zonja e Vjetër, portugezi do të bartë fanellën me numër 7.
Presidenti i Juves, Andrea Anjelli mëngjesin e sotëm me avion privat kishte udhëtuar drejt Greqisë, dhe pritet që shumë shpejtë bashkë me Ronaldon dhe familjen e tij të udhëtojnë drejt Italisë, ku pritet një prezantim spektakolar të futbollistit më të shtrenjtë në historinë e Juventusit.