Skuadra e FC Shkupit është në fazën e fundit të përgatitjeve para udhëtimit për në Skoci, aty ku me 12 korrik do të zhvillojë ndeshjen e raundit të parë eliminatorë të Lliga Europa kundër 56 herë kampionëve të Skocisë, Gllazgou Renxhers.
Numri 8 i “bardhekaltërve” nga Çairi, Bunjamin Shabani, para nisjes për në Skoci, theksoi se është i kënaqur nga përgatitjet e zhvilluara në Bollu të Turqisë, ndërsa beson se ekipi ka marë formën e duhur para kësaj sfide mjaft të rëndësishme, ku Shkupi për herë të parë pas 14 viteve do të luaj në arenën ndërkombëtare. “Ishim për 11 ditë në Bollu të Turqisë, ku kishim kushte shumë të mira. Kaluam shumë mirë. Punuam sipas planit të paraparë dhe për tu përgatitur sa ma mirë. Besoj se shumë të përgatitur e presim skuadrën e Gllazgou”, tha fillimisht Bunjamin Shabani.
Mesfushori kumanovar mendon se plani i përgatitjeve në Turqi, ndeshjet e zhvilluara dhe stërvitjet shtesë në Shkup, janë të mjaftueshme që FC Shkupi të përballet me ekipin e njohur skocez.
“Ne e kemi bërë përgatitjen tonë, por nuk e njohim aq shumë ekipin e tanishëm të Gllazgou Renxhers, por e dimë që ka pasur futbollist me emra të njohur, mirëpo ne e presim maksimalisht këtë ndeshje. E respektojmë Gllazgou Renxhersin, por ne shkojmë të japim maksimumin” tha Shabani.
Ekspedita e FC Shkupit gjatë ditës së martë do të niset për në Turqi, prej ku do të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe. Ndeshja e raundit të parë eliminatore të Liga Europa midis Gllazgou Renxhersit dhe FC Shkupit në program është të enjten me fillim në ora 20:45 në stadiumin “Ajbroks”.