Franca për herë të tretë në historikun e saj do të luaj në finalen e madhe e të një Kampionati Botëror. “Gjelat” sonte në gjysmëfinalen e parë të Botërorit në Rusi eliminuan Belgjikën, edhe atë falë një goli të shënuar nga ana e mbrojtësit të Barcelonës, Samuel Umtiti.
Pas pjesës së parë pa gola, mbrojtësi francez golin e vetëm në këtë super ndeshje e realizoi në minutën e 51-të, kur me kokë kërceu më së larti në zonën kundërshtare, duke e mposhtur Kurtuan dhe duke i siguruar Francës së tij finalen e madhe.
Rikujtojmë për herë të parë Franca në një finale kishte luajtur para 20 viteve, kur si nikoqir i Botërorit në finalen e madhe kishte mundur Brazilin, ndërkohë 12 vite më parë ishte mposhtur nga Italia përmes penaltive.
Në finalen e madhe Franca e Didie Deshamp mirëpret fituesin nga përballja, Kroaci-Angli, ndeshje kjo që në program është nesër mbrëma me filllim në ora 20:00.