Shkëndija ka deklasuar përfaqësuesin e Uellsit, TNS në ndeshjen e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian, duke mundur me rezultatin e thellë 5:0, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija dominoi në tërësi ndeshjen, ndërsa epërsinë e gjeti vetëm pas 14 minutave lojë. Besart Ibraimi nga e majta ktheu topin në zonën e penaltikut, ndërsa Emini nga kjo pozitë nuk fali dhe shënoi për 1:0.
Goli i dytë erdhi në minutën e 38-të, kur Ibraimi pasimin e saktë të Armend Alimit e shfrytëzoi në maksimum dhe me një goditje të fuqishme nga brendia e zonës shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve.
2:0 ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa me golin e minutës së 38-të, bomberi kërçovarë vetëm se paralajmëroi shoun individual në këtë ndeshje, kur në pjesën e dytë shpërtheu, duke shënuar plotë 3 gola të tjerë.
Golin e parë Besart Ibraimi gjatë pjesës së dytë e realizoi në minutën e 53-të, kur me të majtën e tij nga brendia e zonës shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Harrison.
Nuk vonoi shumë dhe 7 minuta më pas Ibraimi rrumbullaksoi “hat-trikun” e tij, duke shënuar golin më të bukur deri në ato momente, kur nga gjuajtja e lirë bëri që Shkëndija pas një ore lojë të avansojë me rezultatin 4:0.
Megjithatë Ibra nuk u ndal këtu, pasi në minutën e 66-të dhuroi edhe një predhë tjetër të rradhës, kur me të majtën e tij edhe për herë të pestë mposhti portierin mysafir.
Shkëndija me këtë fitore thuajse ka siguruar kualifikimin për në raundin e dytë, mirëpo fillimisht për të zyrtarizuar një gjë të tillë, “kuqezinjtë” do të duhet të zhvillojnë edhe ndeshjen e kthimit në Uells, që në program është me datë 17 korrik.