Feliks Bryh nga Munihu është arbitri që përfaqësoi Gjermaninë në Botërorin e Rusisë. Ai gjykoi vetëm një ndeshje dhe më pas nuk u pa më në fushën e blertë, pasi FIFA e dërgoi atë në shtëpi, duke e ndëshkuar në këtë mënyrë.
Kjo, sepse ai u kontestua shumë nga pala serbe pas një 11-metërshi të mohuar për skuadrën e tyre në ndeshjen e fazës në grupe kundër Zvicrës.
Tashmë kur ka kaluar një periudhë e bukur nga ajo ndeshje, arbitri gjerman ka folur për herë të parë për mediat. Ai pretendon se nuk është ndihmuar nga kolegët e tij që ndodheshin në sistemin “VAR”.
“Kolegët që ndodheshin në ‘VAR’ nuk më ndihmuan të merrja një vendim të saktë në rastin e pretenduar për penallti nga Serbia”, – mendohet të jetë shprehur arbitri gjerman.
Një rast ky që ka ngjallur shumë polemika, pasi Serbia u mund në fund të takimit me rezultatin 2:1 nga Zvicra, e ku të dy golat mbajnë firmën e futbollistëve shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
Serbët të tërbuar bënë një ankimim në FIFA, ku përveç këtij momenti ata akuzonin arbitrin gjerman për një gjykim në favor të skuadrës zvicerane.
“Arbitri fliste gjatë gjithë ndeshjes gjermanisht me lojtarët zviceranë duke mos u treguar aspak profesionist në fushën e lojës”, u shpreh federata serbe pas ndeshjes.
Ndërkohë, gazeta serbe “Informer” ka botuar në faqen e parë një shkrim ku akuzonte arbitrin gjerman se kishte marrë 2 milionë euro nga mafia shqiptare për të favorizuar Zvicrën.