Renova mund Goblenin në miqësore

Renova ka shënuar fitore me rezultatin 2:1 ndaj Goblenit në miqësoren e zhvilluar në Bogovinë, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e dytë për skuadrën nga Xhepçishti nën drejtimin e strategut tetovar, Jeton Beqiri, pas asaj ndaj skuadrës shkupjane të Nju Jork, ndaj së cilës “gjipspunuesit” kishin shënuar fitore të thellë me rezultatin 9:0.

Ndryshe ndeshja ndaj Goblen Junior nuk kishte nisur mirë për Renovën, pasi skuadra kumanovare që në minutën e parë kishte avansuar me golin e Mërgim Lutfiut. Barazimin Renovës i’a solli kapiteni Fisnik Nuhiu me një gol të shënuar nga pika e bardhë që në pjesën e parë, teksa golin e fitores për “gjipspunuesit” në pjesën e dytë e realizoi Bashkim Veliu.

Për Renovën ishte kjo kontrolluesja e fundit para nisjes për në Ohër, aty ku stafi teknik me në krye Jeton  Beqirin kanë paraparë të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore. Ekspedita e skuadrës nga Xhepçishti për në Ohër niset të martën me 10 korrik.

Leave a Reply