Pas brazilianit Vilian Lira Souza, Vardari ka prezantuar edhe argjentinasin, Nikolas Hoze Heranc. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës, i cili me nënkampionët e vendit ka nënshkruar kontratë dy vjeçare.
Heranc do të jetë argjentinasi i parë në historinë e Vardarit, që do të veshë fanellën e “kuqezinjëve” nga Shkupi.
Heranc deri më tani ka luajtur në Argjentinë me skuadrat e Rozario Central dhe Olimpo, ndërsa te Vardari do të veshë fanellën me numër 6, që ishte në pronësi të kapitenit, Boban Grnçarov.
Edhe pse ende në zyrat e Vardarit nuk ka arritur sertifikati i duhur i futbollistit nga ana e Federatës argjentinase të futbollit, i njëjti është paralajmëruar nga ana e kuqezinjëve për ndeshjen e parë të Liga Europa, që skuadra nënkampione e Maqedonisë do ta zhvillojë kundër armenëve të Pjunik.