Gjiganti i rrjeteve sociale, “Facebook”, ka arritur një marrëveshje prej 200 milionë sterlina për të transmetuar drejtëpërdrejtë ndeshjet e Premierligës angleze. Duke nisur që prej sezonit 2019-2020, “Facebook” do të transmetojë ndeshjet e kampionatit anglez në Tajlandë, Vietnam, Kamboxhia dhe Laos, shtete këta ku interesi për futbollin britanik është i jashtëzakonshëm.
Sipas “The Times”, rrjeti social më i madh në botë ka paguar 200 milionë për 380 ndeshjet kampionale në elitën e futbollit anglez, duke mposhtur konkurrencën e “BeIN Sports” dhe “Fox Sports Asia”.
Më herët, “Facebook” ka transmetuar drejtëpërdrejtë ndeshje të kampionatit amerikan dhe kampionatit spanjoll, por marrëveshja për kampionatin britanik është më e madhja e arritur nga kjo kompani deri më tani.
Me përfshirjen edhe të “Amazon Prime” e cila synon marrëveshje edhe me “Youtube” e “Netflix”, gara për transmetuesit tradicional të sportit duket se po bëhet shumë më e ashpër.
“Facebook” i ka bërë të qarta synimet për kapërcimin e madh në transmetime sportive kur emëroi CEO-n e Eurosportit, Peter Hutton, si kryenegociator të marrëveshjeve për aktivitete sportive anekënd botës. E me sa duket puna e Hutton po jep rezultatet e para.