Belgjika i ka mbajtur leksion prej një futbolli modern Brazilit, duke avansuar ndaj tyre me rezultatin 2:0 gjatë 45 minutave të para. Përveç golave të shënuar, belgët të udhëhequr nga Eden Hazard, dominuan në fushën e blertë në “Kazan Arena”, aty ku tashmë fjalën kryesore e kanë tifozët belg që duhet të jenë më se të kënaqur nga loja që po shfaq skuadra e tyre në këtë kampionat.
Ndryshe një autogol i realizuar nga Fernandinjo, që po luan në vend të Kasemiros së pezulluar kaloi Belgjikën në epërsi në minutën e 13-të, kur Naser Çadli mjaft mirë ekzekutoi goditjen nga këndi, aty ku në shtyllën e parë futbollisti brazilian nuk reagoi mirë, duke shënuar në rrjetën e portierit të tij.
Për dallim nga ky autogol, goli i dytë erdhi pas një super aksioni të shpejtë dhe një super goli të shënuar nga Kevin De Brujne në minutën e 31-të.
Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigjja e brazilianëve në pjesën e dytë, dhe nëse trajneri Tite do të gjejë ndonjë kundërpërgjigje për lojën e belgëve të trajnerit Martinez.