Dyshja Lazo Liposki – Dragan Siljanovski, emra këto të njohur për gjeneratat më të vjetra, sidomos atyre tifozëve të ish Sloga Jugomagnatit, tashmë FC Shkupit, vazhdon të dallohen me transferimet e tyre që po i bëjnë nëpër Europë.
Kjo dyshe që tashmë disa vite me rradhë kryejnë me shumë sukses punën e menaxherit, kanë transferuar kroatin Ivan Santini tek skuadra e njohur belge e Anderlehtit.
29-vjeçari Santini te Anderlehti erdhi nga rradhët e skuadrës franceze të Kaen, pjesë e së cilës ishte për dy sezone, ku në 75 ndeshje kishte arritur të shënojë plotë 27 gola. Ndryshe kampionati belg për Santinin nuk është i panjohur, pasi para se të transferohej në Francë, ai mbrone ngjyrat e Standard Liezh (2015-2016), teksa më herët kishte qenë edhe pjesë e Kortjik (2013-2015).
Santini gjithashtu kishte luajtur edhe në Gjermani me skuadrat e Ingolshtad dhe Frajburg, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte luajtur edhe me Zadarin, Inter Zapreshiçin si dhe ekipin e të rinjëve të Salzburgut.
Bazuar në karrierën e tij të bujshme dhe efikasitetin e tij të lartë, ky transferim me siguri se i ka kushtuar Anderlehtit disa miliona euro, edhe pse detaje rreth shumë së transferimit vetë klubi belg nuk ka dhënë fare.