Pas portierit Reina dhe kroatit Striniç, Milani ka realizuar edhe goditjen e tretë në këtë merkato. Bëhet fjalë për një kroat tjetër, Alen Haliloviç, i cili në “San Siro” vjen si futbollistë i lirë.
Sezonin e fundit 22-vjeçari Haliloviç e kaloi te Las Palmas, por ka qenë në pronësi të Hamburgut para se të prishte kontratën me klubin gjerman për të kaluar te “kuqezinjtë”.
Milani dhe Hamburgu kanë arritur marrëveshjen mbi përqindjen (20%) e një shitjeje të mundshme të ish-futbolistit të Dinamo Zagrebit dhe Barcelonës.
Haliloviç me skuadrën e njohur italiane ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare, ndërsa paga e tij vjetore do të jetë 1,5 milionë euro.