Sigal Prishtina ka konfirmuar se do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve në basketboll për edicionin 2018/19.
Edhe pse kampion u shpall Bashkimi, është Prishtina ajo që do të përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve. Kjo është hera e dytë që Prishtina merr pjesë në këtë garë. Prishtina do të jetë pjesë e raundit të parë kualifikues.
“Mundi e sakrificat tona për të krijuar një reputacion sa më të mirë të klubit e gjithë kombit në Evropë, po shpaguhen me këso lajme të mira. Kështu, Prishtina do të jetë ekipi i vetëm shqiptar dhe i vetmi nga rajoni jonë i Europës Juglindore ‘Basketball Champions League’, duke qenë edhe njëherë me radhë një lloj “përfaqësuese” e shqiptarëve në Evropë”, thuhet në njoftimin e klubit të Prishtinës.
“Në një konkurrencë të madhe për të qenë pjesëmarrës, në mesin e ekipeve tjera përvec Prishtinës, që do të marrin pjesë në këtë ligë janë edhe skuadrat e mirënjohura evropiane si: Besiktas, AEK, PAOK, Hapoel Tel Aviv, Estudiantes, CEZ Nymburk, Aris, Banvit, Bamberg, Olimpija, SIG Strasbourg e shume tjera. Kurse, jashte kësaj liste, kanë mbetur edhe shumë skuadra të mirënjohura, që nuk kanë arritur të sigurojnë një vend”, thuhet në njoftim.
Në edicionin e kaluar, Prishtina u eliminua në fazën e parë eliminatore të grupeve për të vazhduar në fazën e grupeve të “FIBA Europe Cup”.
Shorti për këtë fazë do të hedhet më 11 korrik në Zvicër.