Pasi nuk pranoi të zgjas kontratën me Renovën, Valmir Nafiu vazhdon të mbetet një futbollist i lirë, mirëpo kjo gjë nuk do të zgjasë edhe shumë kohë, pasi për shërbimet e tetovarit interesohen shumë skuadra, sidomos nga jashtë Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Një ndër skuadrat që insiston ta sheh Nafiun në rradhët e veta, është skuadra rumune e Volonteri, që udhëhiqet nga legjenda e futbollit rumun, Adrin Mutu bashkë me Todoroan Dinu.
Është pikërisht vetë Mutu që insiston që Nafiun ta ketë në skuadrën e tij, duke pasur parasysh cilësitë e sulmuesit tetovar, i cili një kohë luante edhe jashtë vendit, në skuadra me renome, si Bazeli dhe Hamburgu.
Ai para se të kthehej në Maqedoni, ishte pjesë e Skënderbeut në kampionatin shqiptarë, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me skuadrën qipriote të APOEL, dhe Shkëndijës, nga e cila skuadër në vitin 2012-të kishte nisur karrierën e tij ndërkombëtare.
24-vjeçari Nafiu dy vitet e fundit sa ishte pjesë e Renovës, ishte ndër futbollistët më të dalluar, duke rikthyer formën e tij të vjetër, ndërsa në gjithsej 62 ndeshje, arriti të regjistrojë 11 gola dhe 8 asistime.