Suedia është çerekfinalisti i parafundit në kuadër të Botërorit “Rusi 2018”, pasi në ndeshjen e parë të 1/8 së finales gjatë ditës së sotme arriti që të eliminojë Zvicrën e shqiptarëve me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.
Që ky eliminim të jetë edhe më i dhimbshëm, tregon fakti se “helvetikët” fillimisht u eliminuan nga një autogol i Manuel Akanzhi të shënuar në minutën e 66-të.
Emil Forsberg lëshoi një goditje të fortë në drejtim të portës kundërshtare, ndërsa kur mendohej se Somer do të mbroj këtë goditje pa shume probleme, një devijim i mbrojtësit Akanzhi bëri që Zvicra të vuaj, pasi topi i devijuar përfundoi në rrjetë.
Shumë lehtë mund të ndodhte që Suedia të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo edhe pse fillimisht Skomina tregoi në pikën e bardhë, pas konsultave me arbitrin Rosato, kryesorin e VAR në këtë ndeshje, ai më pas tregoi vetëm goditje dënimi në favor të suedezëve, pas ekzekutimit të së cilës edhe u mbyll ky takim mjaft interesant, që Zvicra e mbylli me 10 futbollistë, pas kartonit të kuq të Lang në minutën e 94-të.
Është ky një sukses i madh për Suedinë, kombëtare kjo që për herë të parë pas plotë 24 viteve do të luaj në çerekfinale të një Botërori. Ndërkohë në anën tjetër Zvicra edhe për herë të katërt eliminohet në në fazën e 1/8 së finales pa gol të shënuar, transmeton “infOSport.mk”.
Suedia në çerekfinale do të mirëpret fituesin nga përballja midis Kolumbisë dhe Anglisë, ndeshje kjo që starton në ora 20:00.