Renova sezonin e ri do të udhëhiqet nga strategu i ri tetovar, Jeton Beqiri. Ky i fundit së fundmi ishte pjesë e stafit teknik te skuadra vlonjate e Flamurtarit, ku luante rolin e ndihmës trajnerit të Shpëtim Duros, ndërsa me të në krye nga tabori i Renovës shpresojnë që të rikthehen në mesin e skuadrave pretendente për vendet që sigurojnë Europën.
Në një intervistë për “infOSport.mk”, drejtori sportiv Lirim Saiti foli lidhur me merkaton te skuadra “bardhekaltër” nga Tetova, nga e cila skuadër edhe zyrtarisht është larguar Lavdrim Skenderi.
“Po, e vërtetë është se me Lavdrimin nuk arritëm marrëveshje për të vazhduar bashkëpunimin, ashtu që atij i dëshirojmë shumë suksese në të ardhmen. Gëzon fakti se me pjesën më të madhe të futbollistëve që kemi, thuajse me të gjithë kemi arritur marrëveshje për të vazhduar bashkëpunimin, me përjashtim të Valmir Nafiut” – tha Saiti, i i cili gjithashtu foli edhe për emrat e rinj në skuadër: “Me Maksutin kemi arritur marrëveshje, ashtu që pritet që ditëve në vijim të zyrtarizojmë gjithçka dhe ta prezantojmë me fanellën e Renovës. Gjithashtu jemi në bisedime e sipër me Fisnik Zukën, mirëpo për momentin nuk ka asgjë konkrete, ndërsa gjithashtu ka edhe disa futbollistë të rinj nga shkolla jonë që janë kyçur në ekipin e parë. Besojmë se gjithë këto trajneri Beqiri do arrijë ti komponojë mirë dhe se sezonin e ri do e presim të gatshëm” – përfundoi Saiti.
Renova sezonin e fundit në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë e mbylli në pozitën e 7-të me 41 pikë të tubuara në 36 ndeshje.