Ndihmës seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Xhengis Rexhepi, prej sot edhe zyrtarisht do të jetë pjesë e stafit teknik të skuadrës turke të Sivaspor, njofton “infOSport.mk”. Rexhepi me Sivasporin ka nënshkruar kontratë një vjeçare, ndërsa do të luaj rolin e ndihmës kryetrajnerit, Tamer Tuna.
“Dua të pranoj se për mua kjo paraqet sukses të madh dhe në të njejtën kohë edhe nderë që më jepet rasti të punoj në Super Ligën e Turqisë. Me këtë rast falënderoj trajnerin Tamer Tuna që tregoi besim te unë dhe ndikoi të realizohet kjo marrëveshje. Patjetër të jem i sinqertë dhe të pranoj se ky transferim do të ishte i pamundur pa pozitën time si ndihmës seleksionues i përfaqësueses A të Maqedonisë, ku do të vazhdoj detyrën time edhe në të ardhmen. Jam falemenderues ndaj atyre që më kanë mbështetur dhe kam njoftuar për këtë nën-kryetarin e FFM-së, Muhamet Sejdini dhe seleksionuesin Igor Angelovski” – tha për “infOSportmk”, Xhengis Rexhepi.
Strategu tetovar së fundmi drejtonte skuadrën e Vëllazërimit të Kërçovës.