Lionel Messi dhe Kristiano Ronaldo janë dy futbollistët që në 10 vitet e fundit kanë dominuar në futbollin botëror, ndërsa bashkë kanë ndarë edhe çmimin më prestigjioz, “Topin e Artë”. Megjithatë dominimi i tyre në krye të futbollit botëror është nën kërcënim serioz, sidomos pas dështimit të tyre në Botërorin e Rusisë.
Edhe pse asnjëri prej tyre kurrë s’e ka fituar këtë garë, ata kanë shkëlqyer në turne të mëdha për klubet dhe kombëtaret e tyre në të kaluar, por dështuan të linin shenja edhe në KB “Rusi 2018”.
Ronaldo e nisi mbarë këtë event të rëndësishëm futbollistik, duke shënuar “hat-trik” për Portugalinë në ndeshjen e parë kundër Spanjës, para se të venitej dhe të mos krijonte as edhe një rast kundër Uruguait në ndeshjen e 1/8 së finales, në të cilën ndeshje “luzitanët” u mundën me rezultatin 2:1.
Ndërkohë Lionel Messi nuk ishte në gjendje ta barte një Argjentinë të goditur nga kriza, e cila gati sa nuk u eliminua që në fazën e grupeve.
Kylian Mbape, Nejmar, Hari Kejn, Luka Modriç dhe shumë yje tjera e kanë nisur shumë mirë Botërorin dhe mund të cilësohen si pretendentë për “Topin e Artë”, nëse vazhdojnë të kenë paraqitje të shkëlqyera edhe më tutje në kuadër të Botërorit “Rusi 2018”, ku deri më tani kemi mësuar 4 kombëtaret çerekfinaliste, Franca, Uruguai, Rusia dhe Kroacia.