Rabotniçki dhe Domzhale u ndanë miqësisht në miqësoren e zhvilluar sot në Domzhale, njofton “infOSport.mk”. 1:1 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi, ndërsa ishte ky barazimi i parë në ndeshjen e 5-të kontrolluese që “romantikët” e zhvilluan në kuadër të fazës së përgatitjeve që po i zhvillojnë në Slloveni.
Deri më tani skuadra e Gjore Jovanovskit kishte pësuar katër disfata, edhe atë nga Luftëtari (1:3), Sarajaeva (1:2), Radniçki Nish (0:3) dhe Dinamo Zagreb (0:4).
Sa i përket takimit të sotëm ndaj Domzhales, Rabotniçki ishte skuadra që avansoi e para në këtë përballje falë golit të shënuar nga Çarls Gofri në minutën e 56-të, teksa skuadra sllovene deri tek barazimi arriti në minutën e 76-të me anë të boshnjakut, Senad Ibriçiç, i cili shënoi nga pika e bardhë.
Te Rabotniçki në këtë ndeshje si titullarë luajti futbollisti i talentuar shqiptarë, 18-vjeçari Lavdrim Fazliu, teksa në pjesën e dytë në lojë u inkuadrua edhe Nehar Sadiki. Në anën tjetër te Domzhale u paraqitën plotë tre futbollistë shqiptarë, edhe atë Rubin Hebaj gjatë pjesës së parë, teksa në pjesën e dytë në lojë u inkuadruan edhe dy futbollistët tetovar, Zeni Husmani dhe Agim Ibraimi.
Ishte kjo ndeshja e fundit e Rabotniçkit në kuadër të përgatitjeve që i zhvilluan në Terme Çatezh, ndërsa tashmë do të rikthehet në Shkup ku do të përgatitet për ndeshjen e parë eliminatore të Liga Europa kundër hungarezëve të Honved.