Franca është çerekfinalistja e parë në kuadër të Botërorit “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Didie Deshamp në ndeshjen e parë të 1/8 së finales mundën Argjentinën e Messit me rezultatin 4:3.
Ishte kjo një ndeshje epike me shumë kthesa në rezultat, ku të dyja skuadrat dhanë më të mirën nga vetja, teksa diferencën te kombëtarja e Francës bëri Kilian Mbape, i cili shënoi dy gola.
Pikërisht ndaj talentit francez në minutën e 13-të, Markus Roho kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar, me ç’rast arbitri iranian tregoi në pikën e bardhë.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Antuan Grizman, i cili nuk gaboi dhe shënoi golin e epërsisë në minutën e 32-të.
Për Grizman ishte ky goli i dytë në këtë Botëror dhe sërish i realizuar nga pika e bardhë, ndërsa gjithsej goli i tij i 22-të në 58 ndeshje me Kombëtaren e Francës.
Falë super golit të shënuar nga Anhel Di Maria në minutën e 42-të, Argjentina arriti që të barazojë rezultatin në 1:1, ndërsa vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë, “gauçosët” bënë kthesë totale të rezultatit falë golit të shënuar nga ana e mbrojtësit, Merkado.
Lionel Messi dërgoi një goditje të plogzhët në drejtim të portës franceze, ndërsa Merkado ishte ai i cili i ndryshoi kahjen topit, duke e vendosur atë edhe për herë të dytë pas shpinës së Hugo Loris.
Pas golit të Merkados në minutën e 48-të, Franca u kundërpërgjigjë 9 minuta më pas me anë të super golit të shënuar nga ana e Benxhamin Pavard. Ishte ky goli i parë për Pavard me fanellën e Kombëtares së Francës, ndërsa më pas në skenë doli talenti francez i PSZH-së, Kilian Mbape, i cili realizoi dy gola, transmeton “infOSport.mk”.
Fillimisht në minutën e 64-të, duke shfrytëzuar tollovinë në zonën kundërshtare me të majtën e tij, Mbape realizoi për 3:2, teksa në minutën e 68-të pas një kundërzbritjeje të shpejtë dhe asistit me kohë të Olivie Zhiru, kësaj rradhe me të djathtën, Mbape shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për Francën.
Mirëpo këtu nuk ishte edhe fundi i golave të shënuar në këtë ndeshje, pasi Kun Aguero në minutat shtesë të takimit shfrytëzoi në maksimum harkimin e Lionel Messi dhe me kokë nga afërsia shënoi për 4:3, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i këtij takimi.
Në çerekfinale Franca do të mirëpret fituesin nga përballja, Uruguai-Portugali, ndeshje kjo që starton në ora 20:00.