Bujar Islami është emëruar trajner i ri i Vëllazërimit të Kërçovës, njofton “infOSport.mk”. Ish ndihmës trajneri i Renovës, me skuadrën e Ligës së Dytë – Perëndim ka arritur kontratë një vjeçare.
Strategu tetovar, i cili posedon pro liçencë prej trajneri, në këtë post te Vëllazërimi do të zëvendësojë Xhengis Rexhepin, ndihmës seleksionuesin aktual të Igor Angellovskit te përfaqësuesja e Maqedonisë. Emri i Bujar Islamit lidhet ngushtë me të gjitha sukseset e Renovës, pjesë e së cilës ishte për plotë 10 vite.
“Jam shumë i lumtur që do jem pjesë e skuadrës së Vëllazërimit. Shfrytëzoj rastin të falënderojë presidentin Blerim Sadiku dhe Drejtorin sportiv, Isak Arifin, për besimin e dhënë. Shpresoj që gjithë së bashku të arrijmë objektivat e klubit, që do të jenë pjesë e sipërme e tabelës së klasifikimit” – tha enkas për “infOSport.mk” një ndër trajnerët shqiptarë më me perspektivë në futbollin tonë vendor, Bujar Islami.
Ky i fundit përveç me Vëllazërimin ishte gjithashtu në negociata edhe me dy klube tjera nga Maqedonia si dhe dy nga Kosova, mirëpo projekti i drejtuesve të Vëllazërimit kishte bindur Islamin për të pranuar ofertën e Vëllazërimit.
Skuadra kërçovare sezonin e kaluar në Ligën e Dytë – Perëndim e mbylli në pozitën e tretë, ndërsa edhe këtë vit pritet të luftojë për një vend në elitën e futbollit vendor, bazuar në fondin e futbollistëve që posedon kjo skuadër.