Sulmuesi kumanovar Alban Sulejmani duket të ketë një tjetër rast te Renova e Xhepçishtit prej ku pretendojnë ta rikthejnë 20-të vjeçarin pas një periudhe dy vjeçare. Xhepçishtasit kanë shfaqur interes për lojtarin që momentalisht militon te Partizani i Tiranës, ndërsa këta të fundit kanë në dorë nëse do të lejojnë futbollistin të kalojë në një mjedis ku vlerësohet dhe me gjasa do të gjejë më shumë hapsira për të luajtur, apo do të mbajnë një lojtar të pakënaqur që nuk u shërben gjë me kaq sa ‘përdoret’ te të kuqtë.
Sulejmani firmosi me Partizanin në janar të 2018-ës, mirëpo u aktivizua vetëm në 7-të ndeshje pa mundur të gjejë golin në Superioren e Shqipërisë. Largimi do të ishte në interes të dy palëve, pasi Renova është ambient i njohur për kumanovarin dhe nuk do të kishte nevojë për adaptim, ndërsa Partizani do të lirohej nga një futbollist që nuk gjeti veten te klubi nga Tirana përkundër cilësisë që posedon.
Sulejmani në vitin 2016 bëri transferim të papritur nga Renova te Legia e Varshavës, mirëpo gjigantët e Polonisë vendosën ta huazojnë në kategorinë e dytë te Pogon Siedlce. Partizani u pa si mundësi për të gjetur nivelin e humbur, por duket se këtë shans do ta ketë te Renova nëse drejtuesit e ekipit shqiptar marrin vendim të arsyeshëm në bazë të situatës aktuale, për ta lejuar lojtarin të kërkojë formën optimale aty ku e kishte bërë në sezonin 2015/2016.