Futbollisti shqiptarë i Real Sociedadit, i cili në Botërorin e Rusisë po mbron ngjyrat e Belgjikës, Adnan Januzaj ka shkëlqyer mbrëmjen e kaluar në fitoren minimale 1:0 të skuadrës së tij ndaj Anglisë, ku ishte pikërisht vetë ai që shënoi golin e vetëm dhe të fitores për belgët, ndërsa po i njëjti me plotë meritë pas përfundimit të ndeshjes u shpall edhe lojtari i ndeshjes nga FIFA.
Januzaj është kritikuar shumë pas largimit nga Mançester Junajtedi, ku shumica prej ekspertëve të futbollit e kishin vënë në dyshim talentin e tij, ndërsa të njëjtëve Januzaj iu përgigj përmes deklaratës më poshtë.
“Natyrisht puna ime ishte ta tregoja veten para njerëzve se në të kaluarën në Angli kisha shumë kritika. Dua t’i tregoj atyre njerëzve se jam këtu, jam shumë i kënaqur me këtë. Jam shumë i lumtur që shënova një gol të shkëlqyer kundër një kundërshtari të mirë. Unë kam shpenzuar shumë energji në punë. Këtë vit kam luajtur në një ekip si Real Sociedadi që më ka bërë të rritem si lojtar. Në moshën 23-vjeçare gjëja më e rëndësishme është të kesh paraqitje në fushë dhe të vazhdosh të përparosh. Jam shumë i kënaqur që po shkon në këtë mënyrë”, tha Januzaj për mediat britanike.