Vardari mundet edhe nga maltezët e Balzan (VIDEO)

Vardari ka pësuar edhe disfatën e dytë në ndeshjen e saj të pestë që po zhvillon në kuadër të ndeshjeve kontrolluese në Slloveni, njofton “infOSport.mk”.

Pas disfatës nga rusët e Orenburg (0:1), të besuarit e trajnerit Boban Babunski të mërkurën u mundën nga maltezët e Balzan me rezultatin 4:2.

Vardari u dorëzua në fundin e pjesës së parë, që doli të jetë i kobshëm, pasi vetëm brenda 8 minutave të fundit pranoi 3 gola.

Serinë prej tre golave të Balzan e hapi Llepoviq me golin e shënuar në minutën e 37-të, kur me një goditje precize nga 27-28 metra qëlloi këndin e poshtëm të portës së Kirovskit, kur topi nga shtylla u dëbua brenda rrjetës.

Nuk zgjati shumë dhe vetëm dy minuta më pas Majdevac shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e “kuqezinjëve” nga Shkupi, teksa fare në fund të pjesës së parë në listën e golashënuesve te skuadra e Balzan u regjistrua edhe Efiong.

Vardari golin e parë në këtë ndeshje e realizoi në minutën e 63-të, kur pas një kombinimi të dyfishtë midis Maksimov dhe Barsegian, ky i fundit ngushtoi epërsinë e kundërshtarit në ato momente në 1:3, mirëpo vetëm 3 minuta më pas, Balzan sërish riktheu epërsinë e tre golave, kësaj rradhe duke iu falënderuar golit të dytë personal të Majdevac, që shënoi edhe golin e katërt për skuadrën malteze.

Vardari golin e dytë e realizoi në minutën e 73-të përmes Sergej  Maksimov nga pika e bardhë, të cilën e kishte përfituar, Cevtanoski.

Te Vardari gjatë gjithë ndeshjes u paraqit Besar Iseni, teksa deri në minutën e 60-të luajti edhe kumanovari, Fitor Rexhepi, transmeton “infOSport.mk”.

Dy ndeshjet e rradhës dhe të fundit në kuadër të përgatitjeve në Slloveni, Vardari do ti zhvillojë të shtunën (30 qershor) kundër skuadrës rumune të Hermanshtad dhe të dielën (01 korrik) kundër skuadrës sllovene të Celje.

Leave a Reply