Dhjetë muaj skualifikimi për Paolo Cannavaro, katër për Salvatore Aronica dhe tre për Pepe Reina. Këto janë kërkesat e Prokurorisë Federale, ndaj Gjykatës ku do të zhvillohet seanca e procesit sportiv ndaj ish-lojtarëve të Napolit, të akuzuar për komunikim dhe shkëmbim favoresh me tifozët e Napolit të lidhur me krimin e organizuar, siç zbulohet nga një hetim penal i anti-mafias së Napolit.
Paolo Cannavaro është akuzuar për shitjen e biletave për këta personazhe dhe lejimin e tyre për të përdorur kartën e tij të kreditit shkruan gazeta “Gazzetta dello Sport”. Ish-mbrojtësi Cannavaro, tani ndodhet në Kinë ku mban pozicionin e asistentit të vëllait të tij Fabio te Guangzhou Evergrande. Ndërkohë Reina, i cili tani është transferuar në “San Siro” te Milani, akuzohet se është shoqëruar me njerëz të lidhur me Camorra. Kërkesa për katër muaj skualifikimi edhe për menaxherin e ekipit të Napolit, De Grandis. Gjithsesi ekziston përshtypja, se Gjykata mund të nxjerrë dënime më të buta. (EDS)