Zvicra ka barazuar 2:2 me Kosta Rikën, mirëpo i ka mjaftuar për të kaluar në fazën e dytë të garave në Botërorin “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”.
Pas Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, sonte për Zvicrën njërin prej golave e realizoi Blerim Xhemaili. Tetovari shënoi në minutën e 32-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi rikthimin me kokë nga ana e Embolos në afërsi të portës kundërshtare dhe me një goditje të fuqishme shënoi për 1:0.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa pas 11 minutave lojë në pjesën e dytë, Kosta Rika barazoi rezultatin në 1:1 falë golit të shënuar nga ana e Vatson.
Zvicra sërish kaloi në epërsi në minutën e 88-të falë golit të Josip Drmiç, i cili para se të shënonte kishte goditur shtyllën kundërshtare pas një goditje me kokë, mirëpo kur të gjithë menduan se kjo ndeshje do të mbyllet me barazim, një penalti e akorduar nga ana e arbitrit francez Turpin, i mundësuan Kosta Rikës, barazimin.
Brajan Ruiz, morri përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë goditje dënimi, ndërsa falë portierit Somer ai iu gëzua golit, pasi portieri zviceran realizoi një gol komik me kokë, duke mposhtur vetveten.
Paraprakisht arbitri francez kishte akorduar edhe një penalti tjetër, mirëpo e njëjta ishte anuluar pas konsultave me arbitrin kryesor të VAR, duke sinjalizuar pozitë jashtë loje.
Me këtë barazim Zvicra siguroi pozitën e dytë në grupin “B” me 5 pikë, teksa Brazili me 7 pikë u ndal në pozitën e parë. Serbia me 3 pikë përfundoi në pozitën e tretë, teksa Kosta Rika me vetëm një pikë u ndal në pozitën e katërt.