Fazllagiç: Krenar që isha pjesë e Shkëndijës

Enis Fazllagiç edhe zyrtarisht karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në kampionatin sllovak te skuadra e Zhilinës, njofton “infOSport.mk”. Ai te Shkëndija erdhi si 15-vjeçar, ndërsa largohet si 18-vjeçar, mirëpo pas vetes me një bagazh të madh të ndeshjeve që e bënë atë një futbollist të pjekur dhe të përgatitur për një hap më tej në karrierën e tij.

Me këtë rast Fazllagiç nuk ka mundur pa uruar ekipin e tij që e ngriti kaq lartë, ndërsa një gjë të tillë bëri përmes një shkrimi që kishte publikuar në profilin e tij në facebook. Më poshtë ju sjellim në mënyrë integrale shkrimin e mesfushorit të talentuar Enis Fazllagiç, i cili me Zhilinën ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare.

Krenar që isha pjesë e Shkëndijës, por tani është koha për një kapitull të ri.

Të nderuar shokë, miqë, tifozë të KF Shkëndija,

Me keqardhjen që ju drejtohem me këtë letër lamtumire, nuk mund të fsheh mburjen dhe kënaqësinë time që bashkë me klubin ishim të aftë të udhëtojmë deri në këtë pikë, të bashkëpunojmë, të korrim sukses dhe të ndahemi miqësisht falë një transferimi jashta vendit.

Prej sot unë nuk jam më pjesë e Shkëndijës dhe mërzinë e largimit ma lehtëson fakti që kjo ndarje erdhi në interes të dy palëve.

Shkëndija më dha shumë, më ofroi në moshë shumë të re dhe më dha mundësinë të shijoj futbollin profesionist. Shkëndija më rriti dhe afirmoi në mënyrë të vërtetë dhe unë gjithmonë do të jem mirënjohës për këtë. E njejta vlen për tifozët e klubit “Ballistët” të cilët i falemenderoj publikisht për mbështetjen e parezervë. Largohem si kampion, fitues i Kupës dhe me disa trofe në kategoritë e reja.

Mbi të gjitha largohem me leje të klubit dhe marrëveshje të dyanshme nga e cila përfitojmë gjitha palët e përfshira.

Shkëndijës i uroj gjitha të mirat në të ardhmen, do të mbetem fans i madh i kësaj skuadre. Jetës asnjëherë nuk i dihet, mbase ndonjëherë do të jemi sërish bashkë.

Me respekt, Enis Fallagiç.

Leave a Reply