Rezervat e Kroacisë fundosën shpresat e Islandës (VIDEO)

Kroacia ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e tretë të grupit “D”, pasi sonte në “Rostov Arena” mundi Islandën me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”. Në këtë mënyrë skuadra e Zlatko Daliç e siguroi pozitën e parë në grup me pikë të plota, ashtu që në 1/8 e finales do të përballet me Danimarkën.

Islandës i nevojitej vetëm një gol për të kaluar në fazën e dytë të garave në Kampionatin Botëror, ndërsa në fund përfundoi vetëm si skuadra e fundit në tabelë, duke mbyllur garat me vetëm një pikë.

Edhe përkundër faktit se Daliç këtë ndeshje e nisi me 9 ndryshime në formacion, ishin pikërisht kroatët që avansuan me golin e Badelj në minutën e 53-të, ndërsa kundërshtari i tyre lëshoi shumë raste si në fundin e pjesës së parë, ashtu edhe në fillimin e pjesës së dytë.

Rastet e islandezëve më në fund u kurorëzuan me gol në minutën e 76-të, kur Sigurdson barazoi nga pika e bardhë, mirëpo kroatët nuk u dorëzuan dhe  fare në fund me anë të Perishiç shënuan edhe golin e dytë dhe të fitores.

Leave a Reply