Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio ishte në zyrat e klubit zikaltër, kur mbërriti Radja Nainggolan, që nënshkroi edhe kontratën me skuadrën e re.
Në dalje, Ausilio iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me Fair Play-n Financiar dhe planet e zikaltërve për merkaton, transmeton Super Sport.
“Për Fair Play-n na mungon akoma edhe diçka e vogël, por deri më 30 Qershor do t’ia dalim. Sot ishte dita e Radja, një futbollist shumë i rëndësishëm për projektin tonë. Sa i përket merkatos, kam folur sot me Spallettin, për të përcaktuar rrugën që do të ndjekim. Malcom është një futbollist shumë interesant, por për sa kohë që i përket një tjetër skuadre, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta mbajmë nën vëzhgim. Keni përmendur shumë emra, por e vërteta është që na duhen edhe 2-3 lojtarë dhe merkatoja jonë mbyllet më pas”, deklaroi Ausilio.
Rinovimi i Mauro Ikardit, por edhe e ardhmja e dyshes kroate, Perishiç-Brozoviç, kanë qenë gjithashtu çështjet që kanë prodhuar lajm në këtë periudhë merkatoje. Vetë drejtori sportiv i “zikaltërve” konfirmoi që të tre lojtarët, ndërsa tha se shumë shpejt do të flasë edhe për rinovimin e Ikardit.
“Me Ikardin do të ulemi të diskutojmë rinovimin dhe këtë ia kemi bërë të qartë edhe lojtarit, por për momentin jemi të përqendruar te punë të tjera, që kanë një afat. Sa i përket dy kroatëve, qëndrojnë te Interi dhe luajnë në Ligën e Kampionëve”, tha Piero Ausilio.