Skuadra kampione e Kosovës, Drita ka shënuar fitore 2:0 kundër Santa Kolomas nga Andora në ndeshjen gjysmëfinale të rundit preliminar, duke siguruar në këtë mënyrë një vend për në finale, ku do të ndeshet me ekipin e Lincoln Red Imps FC.
Këta të fundit në gjysmëfinalen tjetër me po të njëjtin rezultat 2:0, mundën ekipin e La Fiorita Montegiardino.
Drita deri tek fitorja erdhi vetëm pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta, pasi ndeshja për gjatë 90-të minutave u mbyll me barazimin 0:0. Golin e parë për ekipin gjilanas e realizoi Xhevdet Shabani në minutën e 99-të, teksa goli i dytë mban firmën e Fidan Gerbeshit, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.
Ndërkohë sa u përket golave të shënuar të skuadrës së Lincoln nga Gjibraltari, ata mbajnë firmën e Hernandez (2’) dhe Moreno (51’).
Ndeshja finale midis Dritës së Gjilanit dhe Linkolnit në program është me datë 29 qershor.
Drita në rast fitore edhe në finalen e këtij rundi preliminar, atëherë në ndeshjen e fazës së parë eliminatore të Ligës së Kampionëve do të përballet me gjigantin suedez, Malmo.