Sulmuesi nigerian, Xhejms Adeni, emri i të cilit lidhej ngushtë me një transferim të mundshëm te skuadrat shqiptare nga Maqedonia, Shkëndija dhe Shkupi, karrierën e tij do ta vazhdojë në Azerbajxhan, te skuadra e Gabalas, njofton “infOSport.mk”.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga klubi azer përmes faqes së tyre zyrtare, ku thuhet se Xhejms ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare.
Kështu sulmuesi 26-vjeçar bëhet futbollisti i dytë nga rradhët e Skënderbeut, që i bashkohet Gabalas, pas Sabien Lilajt, që gjithashtu ishte në radarin e Shkëndijës.
Xhejms Adeni që nga viti 2012-të luante në kampionatin shqiptarë, duke veshur fanellën e skuadrave si Bylisi, Tomori, Laçi dhe së fundmi Skënderbeu.
Ai gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri arriti që të fitoj dy tituj kampion me Skënderbeun, dy trofe të Kupës dhe një Superkupë.
Gjithsej me skuadrat e Shqipërisë kishte zhvilluar 216 ndeshje, duke reaizuar edhe 76 gola, 51 prej të cilëve në 170 ndeshje kampionale.
19 gola të tjerë në 26 ndeshje i kishte realizuar në kuadër të Kupës së Shqipërisë, 2 gola (4 ndeshje) në Superkupë dhe 4 gola në ndeshjet europiane, ku kishte regjistruar 18 ndeshje.