Australia luan sot shanset e saj të fundit për të kaluar në fazën tjetër të turneut në duelin ndaj Perusë, e cila i ka dhënë lamtumirën para kohe turneut. Nuk do të jetë e thjeshtë për “kangurët”, të cilët shpresojnë që jo vetëm të fitojnë ndaj skuadrës nga Amerika e Jugut, por edhe që Danimarka të mundet me 2 apo më shumë gola diferencë nga Franca.
AUSTRALIA
Përveç shanseve të pakta që kanë sa i përket përballjes në distancë me Danimarkën, australianët nuk kanë një bilanc të mirë me skuadrat nga Amerika e Jugut, pasi kanë marrë vetëm 1 pikë dhe kanë shënuar vetëm 1 gol në tre përballjet e mëparshme me skuadra nga ky kontinent në Botërorë.
Për më tepër, kjo skuadër ka probleme edhe sa i përket paprekshmërisë së portës, pasi ka pësuar gol në 12 ndeshjet e fundit radhazi në Botëror, një seri që nuk duhet të qetësojë trajnerin Bert Van Marvijk.
Edhe në fazën e realizimit, situata nuk është aq e mirë, pasi të tre golat e fundit të shënuar në Botërorë kanë ardhur nga pika e bardhë e penaltisë. Askush nuk ka arritur të shënojë katër gola radhazi me penallti në Botërorë.
PERUJA
Kthehej pas 36 vitesh në Botëror dhe e ka përjetuar këtë si festë, me shumë tifozë që e kanë ndjekur me entuziazëm kudo, pavarësisht humbjeve që ka regjistruar dhe që kanë mbyllur para kohë aktivitetin e tyre. Por Peruja ka shfaqur një futboll sulmues, duke mos luajtur në mbrojtje dhe regjistruar 27 gjuajtje në këto dy ndeshje, aq sa edhe ekipe me emër nuk i kanë realizuar në këtë aktivitet.
E megjithatë, Peruja nuk ka arritur të gjejë rrjetën në asnjë prej ndeshjeve, me skuadrën që i ka vendosur objektiv vetes të thyejë këtë tabu e të tentojë një rezultat të rëndësishëm për të, qoftë edhe për moralin.
Kjo është hera e parë që ajo luan me një ekip nga Oqeania (edhe pse teknikisht Australia merr pjesë në kualifikueset aziatike). Por për të ardhur në Botëror, Peruja u ndesh në play-off me Zelandën e re, duke fituar me shifrat 2-0 në përballjen e dyfishtë.
FORMACIONET E MUNDSHME
PROTAGONISTËT
Endrju Nabut nxori shpatullën kundër Danimarkës dhe mund të mungojë në pjesën tjetër të Botërorit me Australinë, edhe nëse kualifikohet. E gjithë vëmendja do të jetë te kapiteni Milosh Jedinak, i cili ka shënuar të dy golat e këtij edicioni për Australinë, duke barazuar rekordin e Bret Holman (2010) dhe Tim Kahill (2014).
Te Peruja mungon sulmuesi Xheferson Farfan, i cili pësoi një tronditje në stërvitje dhe mbetet në spital. Edhe Federata Peruane konfirmoi se ai nuk ishte në gjendje të lëvizte për momentin, pasi nga një përplasje kishte pësuar dëmtime ne tru. (vipsport.al)