Aktualisht në Rusi po mbahet Kampionati Botëror në futboll, aty ku po lindin edhe disa emra të rinj, por njëkohësisht edhe disa futbollistë të rinj po afirmohen edhe më shumë, ku pikërisht këtë event e shohin si mundësinë e madhe për të bërë hapin e madh në karrierën e tyre.
Shumë skuadra të mëdha pikërisht nëpër evente të këtilla shohin mundësinë e përforcimit të skuadrës, ndërsa një ndër skuadrat gjigande që dëshiron të bëjë një gjë të tillë pa dyshim se është edhe Reali i Madridit, kampioni aktual i Europës.
“Mbretërit” ju kanë vënë syrin futbollistëve si Tiago, Odriozola, Fekir dhe Alison. Edhe përkundër faktit se trajneri i ri i kombëtares se Spanjës, Heirro nuk po llogaritë fare në shërbimet e Odriozolas, duke mos e futur në asnjëren prej dy ndeshjeve të zhvilluara, Real Madridi mbetet i interesuar për kartonin e mbrojtësit të djathtë.
Klubi Madrilen vazhdon të besojë se spanjolli është zëvëndësuesi perfekt i Dani Karvahal.
Emri tjetër që figuron në radarin e Real Madridit është Tiago i Bajernit të Munihut. Interesimin e Real Madridit për mesfushorin në fjalë e ka konfirmuar edhe prestigjozja madrilene, “Marca”.
Gazeta lajmin e saj e bazon në atë se trajneri i ri i Realit, Lopetegi është tifoz i madh i lojës që zhvillon Tiago.
Klubi “bavarez” i ka vendosur një çmim prej 70 milionë eurove mesfushorit në fjalë njofton “Marca”.
Përveç dyshes spanjolle, Real Madridi ka në radar edhe reprezentuesin francez, Nabil Fekir si dhe portierin brazilian, Alison. Për këtë të fundit Reali edhe më herët kishte shprehur interesim, ndërsa paraqitjet e tij të mira në këtë Botëror, vetëm sa shtojnë dëshirën e drejtuesve “madrilen” për të siguruar shërbimet e tij.
Në anën tjetër fantazisti Fekir, edhe pse ka luajtur vetëm disa minuta në këtë botëror, “mbretërit” besojnë në kualitetet e tij, sidomos pas performancave të tij sezonin e kaluar me fanellën e Lionit, ku në 30 ndeshje kampionale realizoi 18 gola.