Trajneri i Argjentinës, Horhe Sampaoli, është duke planifikuar ndryshime në ndeshjen më vendimtare të ekipit të tij kundër Nigerisë të martën në “Shën Petersburg”, raportojnë mediat argjentinase.
Sampaoli, i cili është nën presion tejet të madh pasi dy herë fituesi i Kupës së Botës rrezikon të eliminohet herët nga Kupa e Botës Rusia 2018, pas barazimit 1-1 në ndeshjen hapëse kundër Islandës dhe humbjes turpëruese 3:0 nga Kroacia në ndeshjen e dytë, ka eksperimentuar gjatë seancave stërvitore ditët e fundit duke e testuar një formacion 3-4-4 ma praninë dhe varësinë e Lionel Messit, transmeton “Gazeta Express”.
Kombëtarja nga Amerika Jugore që mbërriti në Rusi si njëra prej favoriteve tani ka nevojë për një fitore ndaj Nigerisë për të kaluar në mesin e 16 skuadrave më të mira.
Sampaoli, i cili u la në baltë nga dy gabime të tmerrshme të portierit të tretë të Çelzit, Vili Kabaljero, në ndeshje ndaj Kroacisë të enjten e kaluar, pritet ta ulë në stol portierin veteran dhe në vend të tij ta fusë Franko Armani të River Plates.
Gazeta e përditshme argjentinase “Ole” e ka publikuar një fotografi duke e zbuluar formacionin startues të Sampaolit kundër Nigerisë.
Në fotografi, shihet një skenar ku dy skuadra me nga shtatë lojtarë përballen njëra me tjetrën në stërvitje, por aty vërehet mungesa e Messit.
Sipas mediave argjentinase, përveç Messit pritet të ulen në stol edhe Serhio Aguero, Lukas Bilja dhe Markos Akuna.