FC Shkupi ka pësuar disfatë 0:2 nga skuadra azere e Nefçit në ndeshjen e saj të parë miqësore të zhvilluar në Turqi, aty ku skuadra nga Çairi po zhvillon fazën e përgatitjeve në prag të ndeshjes së parë eliminatore të Liga Europa kundër Gllazgou Renxhersit, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse të besuarit e trajnerit Zekirja Ramadani gjatë pjesës së parë ishin kundërshtarë më i mirë, ata nuk arritën që të avansojnë, edhe përkundër faktit që Bazhe Ilijoski kishte shënuar në rrjetën kundërshtare, mirëpo goli i tij ishte anuluar për shkak pozitës jashtë loje. Në anën tjetër Suat Zendeli ishte i sigurtë në portë, duke intervenuar me sukses në disa raste përballë futbollistëve të Nefçit.
Pjesën e dytë trajneri Ramadani vendosi të ju jap mundësinë edhe futbollistëve që ishin në bankinë, ndërsa një gjë të tillë shfrytëzuan futbollistët e Nefçit, të cilët me anë të Namik Alaksarov në minutën e 62-të kaluan në epërsi.
Pas këtij goli FC Shkupi kërkonte golin e barazimit, mirëpo pa arritur që të konkretizojë ndonjë rast, ndërsa në anën tetër Nefçi në minutën e 86-të me anë të Mirabdulla Abasov shënoi edhe golin e dytë, që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren 2:0 të skuadrës së njohur azere.