Goli i Toni Kros i shënuar në minutën e 95-të bëri që gjermanët të shpërthejnë në festë, mirëpo disi kjo feste e tyre ishte e tepruar dhe anti sportive, pasi anëtarët e stafit teknik të Gjermanisë një gjë të tillë bënë para syve të homologëve suedezë.
Ishte Uli Beghlau, një nga zyrtarët e Federatës Gjermane dhe zëdhënësi për shtyp Uli Voigt, që shkuan para stolit të Suedisë duke u bërë me shenja suedezëve dhe duke duartrokitur për t’i provokuar. Si përgjigje, ata u sulmuan nga stafi i Suedisë dhe u desh ndërhyrja e Oliver Bierhof, një truproje të Federatës Gjermane dhe gjyqtarit të katër që situata të qetësohej.
“Nuk duhet të tallesh me kundërshtarin me të cilin ke luftuar për 95 minuta. Kjo është sjellje e mentaliteti të dobët nga ana e tyre”, ishin fjalët pas ndeshjes të trajnerit suedez Anderson i cili mori pjesë në këtë kacafytje, ndërsa futbollisti suedez i skuadrës gjermane të Lajpcigut, Emil Forsberg, gjithashtu i përfshirë në këtë zënkë, tha: “Ajo është një mungesë respekti, një sjellje e shpifur”.
Gjermania falë golit të Toni Kros në minutën e 5-të shtesë mundi Suedinë me rezultatin 2:1, duke marrë fitoren e parë në kuadër të Botërorit “Rusi 2018”, mirëpo që ka shumë vlera, pasi në xhiron e fundit kampionët e Botës me fitore ndaj Koresë së Jugut do të siguronte një vend për ndeshjet e 1/8 së finales.