Të premten në kuadër të Botërorit “Rusi 2018” u realizua ndeshja futbollistike mes Zvicrës dhe Serbisë. Kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë kohë nga ana e të gjithë shqiptarëve kudo në botë, kjo për shkak se ishin dy futbollistët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ata që i siguruan fitoren kombëtares së Zvicrës.
Fitorja e Zvicrës dhe golat e Xhakës dhe Shaqirit janë komentuar shumë në rrjete sociale, sidomos simboli i shqiponjës që të dy futbollistët e kanë bërë pas shënimit të golave.
Edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku përmes një statusi në rrjetet sociale ka falënderuar Xhakën e Shaqirin për emocionet që i kanë sjellë gjithë kombit shqiptar atë mbrëmje.
“Tash, duhet me folë drejtë. Nuk kam pas zemër me e pa lojën Zvicër – Serbi. Bile, bash në atë kohë e lash me u pa me Ambasadorin e Norvegjisë në SHBA. Dojsha me më kalu koha diqysh. Edhe veq me e pa rezultatin në fund. Cilido qoftë. Ja, po e pranoj, nuk jam aspak e fortë, së paku jo sa ata djem në fushë të futbollit. Diqysh, më vike keq për ta. Më vike keq, e ndjeja dhimbje se bartnin mbi supe një barrë që ndoshta nuk ju takon. Më vike keq që ju ra hise atyre me e vendosë drejtësinë. Me fitu aty ku unë e shumë të tjerë e kemi për detyrë me fitu, po shpesh nuk ia kemi dalë. Djema, borgjin ndaj Kosovës e keni la. Sa të jem gjallë kam me e kujtu ditën e djeshme. Faleminderit. Përulësisht.”, ka shkruar Çitaku.