Kapiteni Stefan Lihshtajner ka treguar solidaritet me lojtarët me origjinë shqiptare që mbrojnë ngjyrat e përfaqësueses së Zvicrës. Ai madje ju ka dhënë të drejtë Xhakës dhe Shaqirit për mënyrën e festimit të golave, kur që të dy bënë me duar shqiponjën dykrenare.
Madje ka qenë edhe vetë Lihshtajner, ai që është fotografuar duke formuar simbolin e shqiptarëve.
“Ne duhet t’i ndihmojmë ata. Janë njerëz të shkëlqyer dhe futbollistë të shkëlqyer. Kam folur me shumë njerëz, me baballarët e tyre, të cilët më kanë shpjeguar pikëpamjen e tyre për atë që kanë kaluar. Ishte një presion ekstrem, ndaj mendoj se është normale të festosh kështu. Nuk mendoj se Zvicra ka një problem në këtë rast. Të gjithë e dinë se janë shtetas të dyfishtë, zviceranë me origjinë kosovare. E rëndësishme është t’i ndihmojmë ata. Është pjesë e kulturës së tyre dhe kanë gëzuar ashtu. Xhaka dhe Shaqiri e bënë shumë mirë që festuan në atë mënyrë. Serbët shkruajnë dhe provokojnë prej disa ditësh, pastaj edhe ata nuk janë engjëj. Për mendimin tim, gjithçka është “ok”.– ka thënë kapiteni i Zvicrës për mediat zvicerane.