Meksika kërkon që të ecë në vazhdimësinë e një prej rezultateve më të bujshme të historisë së kësaj përfaqësueseje për të marrë maksimumin edhe ndaj Koresë së Jugut në duelin e sotëm dhe për të siguruar vazhdimësinë në Botëror.
“El Tri” shënoi një prej rezultateve më të bujshme në histori me suksesin 1-0 ndaj Gjermanisë dhe një fitore është thelbësore duke llogaritur se suksesi i tyre ka bërë grupin shumë të hapur.
KOREJA E JUGUT
Humbja në ndeshjen e parë përballë Suedisë e bën thuajse të pamundur vazhdimësinë e kësaj skuadre në turne, po të merret parasysh se kush janë rivalët e radhës. Humbja e tyre erdhi si pasojë e një penalltie të akorduar me VAR, por ata nuk mund të ankohen as për vendimin e as për rezultatit përfundimtar.
Kjo, pasi ata nuk regjistruan asnjë gjuajtje në kuadrat gjatë takimit, duke u mundur për herë të parë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës që nga viti 1998, me shanset e tyre për kualifikim që thuajse nuk ekzistojnë tashmë.
Për më tepër, përfaqësuesja vjen pas një Botërori 2014 ku nuk arriti asnjë fitore dhe nuk ka mësuar nga ajo situatë, me një bilanc prej 7 ndeshjesh radhazi pa fitore në Botërorë, 3 të fundit humbje. Gjithashtu, ajo ka pësuar gol në 12 nga 13 ndeshjet e fundit në Botërorë, statistikë e cila e kombinuar me paaftësinë para portës, prodhon formulën e saktë të dështimit në një aktivitet të tillë.
MEKSIKA
Përfaqësuesja meksikane zakonisht e fillon shumë mirë Botërorin, me 5 fitore e 1 barazim në 6 ndeshjet e para të edicioneve të fundit. Por pakkush e priste një paraqitje të tillë ndaj Gjermanisë, ku rezultati ishte i ngushtë vetëm sepse Meksika shpërdoroi shumë raste para portës.
Në ndeshjen ndaj Koresë së Jugut, Meksika duhet të presë një lloj tjetër loje, atë të favoritit ndaj skuadrës më të dobët në grup. Gjithsesi, të paktën mbrojtja do të ketë më pak punë në krahasim me ndeshjen e parë, ku Gjermania realizoi 26 raste të rrezikshme.
Si rrjedhojë, Meksika pret që të fitojë dy ndeshjet e para në grup për herë të parë që nga viti 2002, për të vazhduar një ecuri mbresëlënëse në këtë fazë të turneut. Në fakt, meksikanët kanë humbur vetëm 2 nga 18 ndeshjet e fundit në grupe në Botërorë, duke fituar gjysmën e këtyre sfidave.
Problemi i vërtetë fillon më pas, pasi Meksika është eliminuar në 1/16 e turneut në të 6 edicionet e fundit. Kreu i grupit këtë radhë është i rëndësishëm, pasi të mundëson të evitosh një përplasje të mundshme me Brazilin në fazën tjetër.
FORMACIONET E MUNDSHME
PROTAGONISTËT
Koreja e Jugut mund të detyrohet të bëjë një zëvendësim, pasi Park Jo-ho pësoi një dëmtim në ndeshjen e parë ndaj Suedisë. Zëvendësuesi i tij si mbrojtës i majtë pritet të jetë Kim Min-uo, ndoshta i vetmi ndryshim në rreshtim në krahasim me ndeshjen hapëse.
Pritet më shumë nga Son, ndërsa mesfushori i Suonsi, Ki Sung-jeung, do të regjistrojë sot ndeshjen e 104 me përfaqësuesen.
Nga ana tjetër, Meksika pritet të mos bëjë ndryshime, me Hernandez që udhëheq sulmin, në kërkim të golit të 50 me përfaqësuesen.
Rafa Markez do ta nisë përsëri ndeshjen nga stoli, por pritet të luajë në pjesën e dytë disa minuta për duelin e 146 me përfaqësuesen, ndërsa kapiteni Guardado do të luajë sfidën e 149-të.
Dy skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën, pasi janë ndeshur 10 herë në të kaluarën, me Meksikën që kryeson 5-4 në fitore.
E vetmja ndeshje në Botëror mes dy skuadrave ka qenë në vitin 1998, kur Meksika fitoi 3-1. (vipsport.al)