Danimarka dhe Australia kanë barazuar 1:1 në ndeshjen e xhiros së dytë të fazës në grupe në kuadër të Botërorit “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja e zhvilluar në “Samara” dhuroi një futboll të bukur, ku pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa pjesa e dytë foli në të mirë të “kengurëve” të Bert van Marvijk.
Kristian Eriksen kaloi në epërsi Danimarkën me një super gol të shënuar që në minutën e 8-të, teksa Mile Jedinak barazoi shifrat në minutën e 37-të nga pika e bardhë.
Kjo penalti erdhi pasi arbitri Mateu Laos vendosi të përdor sistemin VAR.
Në këtë mënyrë Australia arkëtoi pikën e parë në këtë Botëror, teksa danezët tashmë kanë 4 pikë në grupin “C”. Rikujtojmë Danimarka në ndeshjen e xhiros së parë kishte mundur minimalisht 1:0 Perunë.