Francë-Peru, formacinet dhe disa kuriozitete për këtë ndeshje

Franca kërkon ët mbyllë sot kualifikimin mes 16 më të mirëve të Botërorit, që të përgatitet më qetësisht për fazën me eliminim direkt. Ndaj një fitore ndaj Perusë, do të jetë thelbësore për ekipin e Deshamp i cili është përballur me kritika, edhe pse skuadra e tij bëri detyrën ndaj Australisë.

FRANCA

Mënyra se si Franca fitoi në Kazan nuk ishte aspak bindëse, por gjithsesi ekipi mori atë që deshi, ndryshe nga skuadra të tjera pretendente që kanë lënë pikë rrugës në ndeshjet e para. Një penallti me VAR dhe një autogol vendosën duelin ndaj “kangurëve”, që do të thotë se francezët janë ende larg pretendimeve të personave që i shohin si favoritë për të përsëritur suksesin e Zidan me shokë të 20 viteve më parë.

Gjithsesi, francezët po kalojnë një formë të mirë sa u përket rezultateve, pasi kanë fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit dhe kanë humbur vetëm 1 nga 13 duelet e fundit që kanë luajtur. Për më tepër, skuadra ka një tendencë të paraqitet mirë ndaj ekipeve të Amerikës së Jugut në Botërorë, e pamposhtur në 7 ndeshjet e fundit dhe pa pësuar gol në 6 të fundit.

PERUJA

Nëse Franca ishte me e fat në suksesin ndaj Australisë, Peruja ishte e pafat ndaj Danimarkës në një duel që e dominoi në lojë por e humbi 1-0. Pas 17 gjuajtjesh në portë dhe një penalltie të humbur, peruanët u larguan kokulur nga Saransk.

Botërori është i pamëshirshëm në raste të tilla dhe një tjetër paraqitje e tillë, mund të mbyllë përfundimisht shanset e kësaj skuadre për kalimin e turit. Duhet një surprizë, ose më saktësisht një fitore në Botëror që nga vitit 1978, pasi që atëherë, Peruja ka humbur 5 ndeshje e barazuar 2.

Kjo përfshin 5 ndeshje radhazi pa fitore ndaj ekipeve europiane, e në fakt, gjërat vështirësohen duke ditur se u bënë 40 vjet që nga koha kur një ekip i Amerikës së Jugut ka mundur Francën në Botëror.

Kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Perusë, Paolo Guerrero, këtë radhë pritet të zbresë në fushë nga fillimi, pasi ishte në stol ndaj danezëve. Me të, parashikohet një përmirësim para portës. Peruja shënoi 10 gola në 4 ndeshjet e para të luajtura në vitin 2018, por nuk ka shënuar asnjëherë në dy të fundit.

FORMACIONET E MUNDSHME

PROTAGONISTËT

Guerrero pritet të jetë përsëri titullar në rreshtimin e Perusë, duke ndryshuar disi edhe skemën, me Farfan që parashikohet të lëvizë në krahë. Tapia dhe Kueva pritet të sakrifikohen në rreshtimin e ri, me Akuino që parashikohet të fitoj një vend mes titullarëve.

Te Franca, fitorja do të jetë dhurata më e mirë për Hugo Loris, i cili luan sonte ndeshjen e tij të 100 me fanellën e bluve, portieri i parë që e arrin këtë shifër te “gjelat”. Por vëmendja si gjithmonë do të jetë te Grizman, i cili ka qenë protagonist në 9 nga 13 golat e fundit të Francës në turnetë madhorë, duke shënuar 7 e dhënë 2 asist.

Ndërkaq, Mbape është në kërkim të golit të parë, për të thyer rekordin e Trezege si golashënuesi më i ri francez në një turne madhor.

Dy skuadrat janë ndeshur vetëm një herë me njëra-tjetrën, në një miqësore në Paris në vitin 1982. Asokohe, Peruja fitoi 1-0, falë golit të Oblitas përballë francezëve të cilët kishin Platini si kapiten. (vipsport.al)

Leave a Reply