Ferhan Hasani dhe Ardian Cuculi nuk janë më pjesë e Shkëndijës. Të dy futbollistëve u skadoi kontrata më 15 qershor, ndërsa pas bisedimeve me kryesinë është vendosur që bashkëpunimi mos të vazhdohet në të ardhmen.
Kështu të dy futbollistët tashmë janë larguar nga skuadra dhe si futbollistë të lirë do të kërkojnë angazhimin e rradhës.
Që të dy ishin ndër më të merituarit për dy trofetë e këtij sezoni në elitën e futbollit vendor, ku Shkëndija triumfoi edhe në kampionat dhe në kuadër të Kupës. Që të dy pjesë e Shkëndijës ishin në tre vitet e fundit, ndërsa vlen të theksohet se gjithashtu ishin në mesin e atyre futbollistëve që i ishin gëzuar titullit të parë kampion në sezonin 2010/2011.
Me këtë rast Shkëndija falemenderoi që të dy për kontributin e dhënë gjatë periudhës që ishin pjesë e skuadrës kuqezi, duke u dëshiruar gjithë të mirat në të ardhmen.
Emri i Hasanit lidhet me një kalim të mundshëm në Superligën turke, teksa Cuculi mund të rikthehet sërish në Superligën shqiptare.